Shkurt: për të hyrë në e-Albania hapni portalin zyrtar e-albania.al, shtypni Hyr, zgjidhni Qytetar, shkruani NID-in dhe fjalëkalimin, pastaj kodin që ju vjen me SMS, me email ose në aplikacionin e autentifikimit. Me numër telefoni të huaj, kodi vjen me email.
Si hyhet në e-Albania, hap pas hapi?
- Hapni e-albania.al dhe shtypni Hyr.
- Zgjidhni Qytetar.
- Shkruani NID-in (numrin personal) dhe fjalëkalimin.
- Vendosni kodin e verifikimit brenda 120 sekondave. Kodi vjen me SMS, me email ose në një aplikacion autentifikimi. Me "Provoni një mënyrë tjetër" zgjidhni mënyrën që ju përshtatet.
Në telefonin ose kompjuterin tuaj mund ta ruani pajisjen si të besuar, që herët e tjera të mos ju kërkohet gjithmonë kodi. Bëjeni vetëm në pajisjet tuaja personale.
Çfarë është NID-i dhe ku e gjej?
NID-i është numri personal i identifikimit: një shkronjë, 8 shifra dhe një shkronjë. Gjendet në kartën e identitetit ose në pasaportën shqiptare. Kujdes: kërkohet numri personal, jo numri i pasaportës.
Kodi nuk vjen: çfarë bëj?
- Keni numër të huaj? Që nga ndryshimet e vitit 2024, me numër italian, grek, gjerman apo tjetër jo shqiptar, kodi vjen me email. Kontrolloni emailin e llogarisë.
- Kontrolloni Spam ose Promotions dhe prisni një minutë para se ta kërkoni sërish.
- Provoni një mënyrë tjetër: zgjidhni email ose aplikacion autentifikimi në vend të SMS-it.
- Emaili është i vjetër? Provoni ta rikuperoni te ofruesi i emailit (Gmail, Libero, Hotmail etj.).
Kam harruar fjalëkalimin
Te faqja e hyrjes shtypni "Keni harruar fjalëkalimin tuaj?", shkruani NID-in dhe ndiqni kodin që ju vjen. Hapat e plotë i gjeni te udhëzuesi për rikuperimin e fjalëkalimit.
Nuk kam më as emailin, as numrin e vjetër
Në këtë rast e-Albania ka kanalin e vet të ndihmës: shkruani në helpdesk@e-albania.al ose përdorni formularin e kontaktit në portal dhe shpjegoni situatën.
Nuk kam llogari ende
Llogaria hapet falas, online, nga çdo shtet. Shikoni si të hapësh llogari në e-Albania.
A mund të hyj nga telefoni?
Po. Portali hapet nga shfletuesi i telefonit dhe e-Albania ka edhe aplikacion zyrtar për Android dhe iPhone.
Pyetje të shpeshta
A jeni ju e-Albania?
Jo. Jemi një zyrë private asistence në Shkodër. Shërbimet publike në e-Albania janë falas: ne paguhemi vetëm kur dikush kërkon asistencën tonë.
A më kërkoni fjalëkalimin ose kodin?
Kurrë. Mos ia jepni askujt fjalëkalimin apo kodet që ju vijnë me SMS ose email.